Redin Caushaj, polici 25 vjeçar që u plagos me thikë në qafë pak ditë më parë në fshatin Pilur të Himarës, ka dalë nga gjendja e rëndë shëndetësore. Ai është vizituar këtë të enjte nga kryeministri Edi Rama. Siç duket, Redin Caushaj ka dalë nga rreziku për jetën dhe ka shtrënguar duart me kryeministrin.
“Respekt për Redin Çaushajn, të riun e Policisë së Shtetit që u plagos duke ndërhyrë dhe shmangur më të keqen mes dy individëve në një sherr të rrezikshëm”, shkruan Edi Rama dhe ndan fotografinë e mëposhtme të realizuar në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Redin Caushaj ishte jashtë detyrës kur u qëllua me thikë në qafë, pasi nga rruga vuri re dy persona që po konfliktoheshin. Ai ndërhyri menjëherë për të ndaluar përshkallëzimin e sherrit, por u qëllua pabesisht nga 60-vjeçari Thodhori Mërkuri.
25 vjeçari mbahet në reanimacionin e Spitalit të Vlorës, ndërsa kolegët kanë dhuruar gjak gjithë natën. Në Spitalin e Vlorës ka qenë dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili i ka kërkuar drejtësisë që të japë dënimin e merituar për autorin.