Real Madrid ka nisur nga puna për të gjetur zëvendësuesin e trajnerit Carlo Ancelotti që në fundin e këtij sezoni do të mbyllë aventurën me “Los Blancos”, për të nisur një eksperiencë të re larg Europës teksa do të marrë përsipër kombëtaren e Brazilit. I preferuari i madrilenëve është Xabi Alonso, një ish-futbollist i Realit dhe që ambientin e kryeqytetasve e njeh mjaft mirë.

Por, për të mbërritur te 41-vjeçari nuk është e lehtë pasi Xabi Alonso është aktualisht në krye të Bayer Leverkusen. Spanjolli po bën mjaft mirë te “Aspirinat” dhe jo më kot drejtuesit e klubit së fundmi njoftuan rinovimin e kontratës me Xabi Alonson.

Kontrata e vjetër skadonte pas 11-muajsh, por te Leverkusen ishin të bindur për kualitetin e ish-mesfushorit dhe nuk pritën gjatë për t’i rinovuar kontratën. Në këtë formë, Alonso është bindur për akordin e ri dhe ka rinovuar me gjermanët deri në 30 qershor të vitit 2026.

Kujtojmë se në sezonin e kaluar, Alonso ia doli ta dërgonte skuadrën deri në gjysmëfinalen e Europa League ndërsa falë këtij rinovimi për Real Madrid vështirësohet rruga për të mbërritur tek spanjolli.