Vazhdojnë largimet e shumta të lojtarëve më të mirë nga Evropa drejt Arabisë Saudite. Siç raportojnë burime dhe media të shumta, ylli brazilian Neymar është lojtari i ri i Al-Hilalit saudit. Ndaj, si kurrë më parë, tifozët e futbollit në mbarë botën ndjekin me shumë vëmendje migrimin e yjeve të futbollit në Mbretërinë Saudite. Gjatë verës, klubet saudite sollën dhjetëra lojtarë më të mirë të botës. Dhe përveç kësaj, ndryshime të tjera kanë ndodhur së fundmi në Arabinë Saudite, të cilat ekspertët thonë se mund të ndryshojnë të ardhmen e futbollit saudit si dhe të implementojnë projektin për ta kthyer ligën saudite në një nga dhjetë më të mirat në botë, që është qëllimi kryesor i udhëheqjes së këtij vendi.

Për të arritur këtë qëllim, qeveria saudite ka paralajmëruar një investim prej 20 miliardë dollarësh, ku paratë do të investohen në zhvillimin e klubeve më të mira dhe forcimin e ligës së vendit. Sauditët kanë investuar afër shtatë miliardë dollarë që nga viti 2021. Fondi mbretëror i shtetit, i mbikëqyrur nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, ka marrë përsipër katër klube të mëdha: Al Nassr dhe Al Hilal nga Riadi dhe Al Ittihad dhe Al Ahli nga Jeddah. Kalimi i pronësisë në Fondin e Investimeve Publike (PIF) shënoi fillimin e procesit të privatizimit të klubeve që deri më tani ishin nën kontrollin e Ministrisë së Sporteve dhe të mbështetura financiarisht nga shteti.

Përveç futbollit, Arabia Saudite investon miliarda dollarë në sporte të tjera, veçanërisht në golf. Politika sportive saudite është një element i spikatur në projektin ambicioz të Princit të Kurorës Mohammed Bin Salman, i ashtuquajturi Vizioni 2030, një plan për t’i dhënë fund varësisë nga nafta duke diversifikuar ekonominë e vendit, duke tërhequr investime dhe duke zhvilluar sektorë të tillë si turizmi, duke liberalizuar shoqërinë në mënyrë të kontrolluar. Arabia Saudite ka nevojë për një “legjitimitet” të ri dhe sporti është një “mjet i besueshëm”, sipas mediave botërore. Projekti prek tre aspekte: I pari është i brendshëm, pasi 70% e sauditëve janë nën 35 vjeç dhe për këtë arsye, atyre u duhet ofruar argëtimi me futboll.

E dyta është zbukurimi i imazhit, ndërtimi i një “marke” ndryshe nga ajo që lidhet me autoritarizmin. Dhe e treta është ekonomike. Sipas Forumit Ekonomik Botëror, turizmi sportiv kap vlerën e 560 miliardë euro në vit dhe axhenda e Vizionit 2030 propozon që sektori i turizmit të kontribuojë me 10% në PBB deri në fund të kësaj dekade (tani është 3%).