Parlamenti i Bullgarisë aprovoi sot ndryshimet në Kodin Penal dhe në ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, pas një rasti tronditës të dhunës ndaj një vajze 18-vjeçare, i cili nxiti protesta masive. Deputetët, të mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, i miratuan ndryshimet me 144 vota për dhe 58 kundër.
Këto ndryshime sigurojnë të drejtën për mbrojtje për njerëzit të cilët kanë përjetuar dhunë në marrëdhënie intime, apo për viktimat e dhunës të cilat as nuk janë të martuara me abuzuesin e tyre të mundshëm e as nuk janë në një lidhje dashurie.
Mijërat njerëz protestuan në Sofje dhe në qytetet e tjera bullgare, pasi një grua nga qendra e qytetit Stara Zagora u rrah dhe u ther plot herë me thikë nga i dashuri i vet. Ky incident ishte bërë publik më 28 korrik, vetëm pasi familja kishte shprehur zemërimin me ritmin e ngadaltë të hetimeve. Protestuesit e zemëruar bënë thirrje për ndryshimin e legjislacionit dhe për përmirësimin e masave mbrojtëse për gratë, duke bartur banerë me mbishkrimin: “Asnjë grua tjetër më shumë”.
I dyshuari 26-vjeçar, i identifikuar në media si Georgi Georgiev, u arrestua pas sulmit, por një gjykatë në Stara Zagora e liroi atë më vonë, pasi i cilësoi lëndimet e vajzës si të “lehta”. Ai u arrestua përsëri më 31 korrik, pas zemërimit publik dhe zyra e prokurorit njoftoi se e kishte përshpejtuar hetimin.