Vetëm pak ditë më parë, ish- kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi, pas sekuestrimit të inceneratorit, paralajmëroi ngritjen e një grupi ekspertize për aferat e inceneratorëve. Pra, do kryejë hetime si prokuror, krahas SPAK, dhe do nxjerrë prova të korrupsionit qeveritar në inceneratorin e Tiranës. Dhe ia ka nisur këtë të premte, duke publikuar një video.

“Me anë të një videoje të ndarë në rrjetin social Facebook, Këlliçi dokumenton se si dy shokët e ngushtë të Veliajt, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri festojnë vjedhjen e 80.000 eurove në ditë tek Inceneratori i Tiranës, me muzik në sfond, teksa në kokë mbajnë kordelen e Mickey Mouse”, shkruan portali i familjes Berisha. “Ja se si dy zemrat, dy shokët e Veliajt dhe dy të panjohurit e Ramës, të cilëve pa i njohur hiç, ai u firmoste bonusin 8% fap e fap (Zoto e Mërtiri), festonin vjedhjen e 80.000 eurove në ditë tek Inceneratori i Tiranës.

Për të gjithë ata që menduan dhe sponsorizuan fort që afera e shekullit të mbyllej me arratinë e Ahmetajt, i garantoj që e kanë shumë gabim! Aferës së inceneratorëve do i shkohet deri në fund e mbi të gjitha, inceneratorit të Tiranës do t’i dalin pronarët e vërtetë, që tashmë të gjithë e dinë që janë Erion Veliaj dhe Edi Rama. Veliaj me të vërtetë rrëmbeu me paratë e korrupsionit mandatin e 3 në krye të Bashkisë Tiranë, por gjurmët që ka lënë nuk i fshin dot as koha dhe as presioni i tij ndaj drejtësisë.

Do ta çojmë përpara këtë çështje, dhe në ditët në vijim do të sjellim për publikun plot fakte të reja”, shkruan Këlliçi, në videon që ka publikuar në rrjetet sociale. Por, se si provohet me këtë video që ata kanë vjedhur dhe kanë lidhje me Edi Ramën dhe Erion Veliajn, vetëm Belind Këlliçi mund ta shpjegojë.

Se jo për gjë, por me këto “prova bombastike” që po nxjerr, rrezikon ta kthejë në një çështje qesharake.