Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales është pezulluar nga “të gjitha aktivitetet e lidhura me futbollin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar” për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, kështu vendosi sot Komiteti Disiplinor i FIFA-s
Rubiales, 46 vjeç, puthi në buzë sulmuesen Jenni Hermoso pas fitores 1-0 të Spanjës ndaj Anglisë. Pas këtij “incidenti” ai refuzoi të jepte dorëheqjen e kërkuar nga zyrtarë të qeverisë spanjolle, Presidentja e ligës së femrave në Spanjës, pjesëtarë të ekipit të femrave por edhe nga tifozët.
“Nuk do të jap dorëheqjen, nuk do të jap dorëheqjen”, tha ai në asamblenë e përgjithshme të jashtëzakonshme të thirrur nga federata. “Po bëhet një atentat social”. Rubiales megjithatë kërkoi falje për puthjen përpara se FIFA, organi drejtues i futbollit botëror, të hapte procedimin disiplinor kundër tij të enjten.
Vetë futbollistja e ekipit kombëtar të femrave të Spanjës, Jennifer Hermoso, është shprehur se u ndje e sulmuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës Luis Rubiales, që e puthi pas finales së Kupës së Botës. “U ndjeva e cenuar dhe viktimë e një sulmi, një veprimi impulsiv dhe maskilist, një veprimi të pavend me asnjë lloj pajtimi nga ana ime. Thjesht, unë s’u respektova”, tha Hermoso.