Kombëtarja e futbollit të femrave të Spanjës festoi para pak ditëve trumfin në Kupën e Botës teksa iberikaset mposhtën në finale Anglinë me shifrat 1-0. Festa ishte e jashtëzakonshme për “La Furia Roja”, megjithatë nuk munguan edhe polemikat të cilat u shkaktuan nga Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales.
Ky i fundit në momentin kur po shpërndaheshin medaljet nuk ngurroi dhe puthi në buzë futbollisten Jenifer Hermoso. Sulmuesja u gjet e papërgatitur dhe e theksoi se nuk i pëlqeu gjesti i Rubiales. Video tashmë është bërë virale dhe qarkullon kudo në botën e internetit, ndërsa është cilësuar si një skandal. Së fundmi, Rubiales ka marrë kritika edhe nga Ministri i Kulturës dhe Sporteve në Spanjë, Miquel Iceta i cili shprehet se gjesti i presidentit është i pajustifikueshëm.
“Duhet të tregohemi të kujdesshëm në veprimet tona, nuk mund të puthim në buzë një futbolliste për ta uruar, apo me justifikimin se po festojmë një arritje të madhe. Rubiales duhet të japë shpjegime, por edhe të kërkoj falje”, u shpreh Iceta.