Partizani është në negociata për të zhvilluar një duel miqësor me Romën e Jose Mourinhos. Data e lirë kur skuadra e Serie A mund të vijë në Tiranë është 12 gushti, me palët që ende nuk kanë marrë vendimin final.

Pasi skuadrat e femrave të këtyre klubeve u përballën në Tiranë disa javë më parë, tanimë me bashkëpunimin e Ambasadës italiane në Tiranës, duket se edhe skuadrat e meshkujve do kenë një miqëore.

Nëse gjithçka zyrtarizohet, Roma do luante në “Arenën e Demave” me kapacitet 4 mijë tifozë, pasi “Air Albania” do i nënshtrohet një ndërhyrje për mbjelljen e barit.

Kujtojmë se Partizani në datën 10 gusht do luajë në transfertën e Letonisë kundër Valmierës, për ndeshjen e parë në turin e 3 të Conference League dhe vetëm dy ditë më vonë kundër Romës, gjithmonë nëse zyrtarizohet gjithçka.

Nga ana tjetër Roma nis sezonin e ri në datën 20 gusht, duke u përballur në “Olimpico” me Salernitanën. Një miqësore në Tiranë nuk do ishte çudi, me Mourinhon dhe Romën që do kujtonin suksesin e disa muajve më parë, kur në “Air Albania” fituan trofeun e Conference League, të parin për ta në nivel evropian.

Pas Egnatias që në 13 gusht do përballet me Interin në një miqësore në Itali, skuadrat shqiptare kanë rritur nivelin edhe me kundërshtarët e zgjedhur.