Jemi në kulmin e sezonit veror.
Shqipëria dhe kryesisht riviera shqiptare është kthyer në një sensacion për të huajt që duan të njihen me vendin e vogël “sekret” në Evropën Juglindore për tu relaksuar në plazhet e kristalta, të njohin kulturën shqiptare dhe për të shijuar kuzhinën tradicionale të vendit.
Megjithatë në fluksin e këtij sezoni turistik përveçse të mahnitur nga bukuritë që ofron vendi ata kanë shprehur edhe disa nga pakënaqësitë e tyre. Të pyetur se çfarë shohin si gjërat më të domosdoshme për tu ndryshuar, ata listojnë së pari lehtësimin e infrastrukturës rrugore, dhe një çështje ende delikate mbetet ndotja në plazhe nga vetë pushuesit.
“Rrugët dhe mënyra se se njerëzit e ngasin makinën duhet të ndryshojë patjetër këtu”, tha një turist.
“Në Angli çdo gjë paguhet me kartë, ndërsa këtu çdo gjë është kesh. Në momentin që mësohesh është ok, po në fillim e kishim të vështirë, gjithçka tjetër në pëlqen”, tha një turiste angleze.
“Infrastruktura duhet përmirësuar. Të vije nga Saranda në Ksamil të merrte shumë kohë. Rruga kishte shumë trafik. Ndoshta gjëra të tilla si kjo duhet të ndryshoni nëse doni të prisni më shumë turistë”, tregon një tjetër.
“Duhet të shtoni vendet tërheqëse, të ketë më shumë pastërti, më shumë rrugë, hotele… si në çdo vend tjetër në Europën perëndimore, të ketë një transport rrugor më të mirë, asgjë më shumë, zoti ju ka dhënë një vijë bregdetare si dhuratë”, u shpreh një tjetër.
Kushtet natyrore e favorizojnë Shqipërinë për tu kthyer në një nga destinacionet turistike më të preferuara në Europë, megjithatë menaxhimi i strukturave të tjera që lidhen drejtpërdrejtë me turizmin shihen ende si “thembra e Akilit” për turizmin në Shqipëri.