Nga:Alba Malltezi
E keni parasysh në një lagje ku të gjithë shkojnë mirë, ku të gjithë mbajnë dyert të hapura, ku të gjithë vizitojnë njëri-tjetrin, hyjnë e dalin, me përjashtim të njërës shtëpi? I keni parasysh të parat familje me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të viteve ’50 apo edhe ’60 në lagjet e të bardhëve? Ishin mikpritës, të ndershëm, të pastër, të mirë edhe ata, por askush nuk u shkelte në derë. U deshën vite të tëra përpjekje, luftë për të drejtat themelore të njeriut, që një i bardhë të futej pa ndrojtje te një familje me ngjyrë. A nuk ishim kështu dhe ne Shqiptarët për Europën dhe botën deri pak vite më parë? Ne nuk i kishim dyert të mbyllura, por tek ne nuk dëshironte të vinte njeri, edhe pse lëkura jonë ishte e të njëjtës ngjyrë me atë të gjithë europianëve.
Shqipëria sot ka hapur dyert dhe zemrën dhe me qindra tek ne po vijnë, por kjo nuk i lumturoka të gjithë. Disa bij e bija të këtij vendi, prej 30 vitesh në arrati në çdo kënd të botës, herë me fund të lumtur e herë jo, herë të përfillur e herë jo, herë të poshtëruar e herë jo, por gjithnjë me gjallërinë dhe ëndrrën e jashtëzakonshme të supershqiptarëve të viteve 2000, po reagojnë çuditshëm. Pas kritikave ndaj Shqipërisë, të kushteve, të rrugëve, të strukturave, të shërbimeve, të sjelljeve, tani kanë nisur radiografinë e turistëve që vijnë: pleq italianë, nordikë, spanjollë, francezë; “jevgj” napoletanë, të droguar, pabuksa…
Eshtë e trishtë të lexosh e dëgjosh epitete raciste pikërisht nga bashkëatdhetarë, nga njerëz të një vendi që e ka vuajtur në radhë të parë vetë në kurriz diskriminimin, bullizmin dhe përçmimin. Nuk ka asgjë të keqe të kritikosh, por edhe një fëmijë që ende nuk di të flasë e kupton dhe e nënkupton përçmimin, përbuzjen, mospranimin, racizmin. E nisëm këtë “zakon” të shëmtuar me të parët shqiptarë të Kosovës që erdhën në Shqipëri, e duket se nuk e kemi harruar edhe me të tjerë të huaj.
Shqipëria nuk është një vend perfekt. Askush nuk vjen këtu të gjejë Italinë, Maldivet, Francën, Gjermaninë. Kushdo që vjen këtu e di se vjen në vendin më të fundit të hapur në Europë, në një vend ku deri pak më parë njerëzit iu hidhin njëri-tjetrit shishe me molotov. Dhe nëse kërkon e kërkon, imperfekten mund ta gjesh edhe në vende perfekte si Holanda, Italia, Franca, Gjermania. Secili prej nesh që ka udhëtuar jashtë apo jashtë vendit jeton mund të sjellë dhjetëra shembuj imperfeksioni.
Të gjitha kritikat janë të mirëpritura për përmirësim, si të vendit, si të vetë shqiptarëve, por komente raciste, diskriminuese dhe fyese, për ata që zgjedhin të vijnë në Shqipëri nuk na shkojnë, nuk i meriton asnjë i huaj. Nuk është zakon prej shqiptari.