Pas 23 vitesh karriere si trajner dhe rreth 15 vitesh si futbollist profesionist me klubin e Partizanit në Shqipëri dhe një vit në Gjermani, Skënder Gega vendos të heq dorë përfundimisht nga pankina dhe ta mbyll këtu.
“Pas një analize të thellë kam vendosur q]ë të largohem dhe ta mbyll karrierën si trajner, por jo të jem larg futbollit”, tha Gega. Tashmë synimi i tij me sa duket është të marrë në administrim një skuadër futbolli, ose thënë ndryshe, të jetë pjesë e investitorëve në futboll.
“Do të doja shumë që njerëzit të mos e shohin futbollin një gropë e zezë edhe pse për të thënë të vërtetën ligjet janë pak jo të qarta për investimet në futboll, por me qartësimin e tyre dhe krijimin e një mundësie pse jo”, tha ai.
Në analizën që ai ka bërë, për ndryshimin e profilit të tij në qasjen me futbollin, Gega thotë se futbolli në vend mund të jetë fitimprurës, por do durim.
“Deri tani investimet në futboll kanë qenë spontane, por unë e di se si funksionon biznesi i futbollit, investimet në këtë fushë duan durim, nuk janë si një biznes ndërtimi”, shtoi Gega.