Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media ka rikonfirmuar se letra e disa ligjvënësve të lartë për Politikë të Jashtme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, lidhur me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe situatën politike e të sigurisë në Veriun e Kosovës, ka arritur tashmë në adresën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, dhe se i njëjti do t’i përgjigjet letrës së përbashkët nga kanalet e duhura të komunikimit.
Dhjetra ligjvënës nga shtetet anëtare të BE-së, senatorë amerikanë dhe ekspertë të Politikës së Jashtme nga vendet aleate, kanë kërkuar nga BE-ja, SHBA-të dhe Britania e Madhe një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen se në adresimin e krizës në Veriun e tensionuar të Kosovës, politika e përbashkët perëndimore duhet të udhëhiqet nga “gabimet e së kaluarës”.
Megjithatë sipas Stanos, qasja e Unionit në këtë fazë është e balancuar, meqë sipas tij nëse të 27 shtetet anëtare të BE-së në koordinim edhe me komunitetin ndërkombëtar, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shohin se Serbia nuk po kontribuon në de-përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës në mënyrë të duhur do të vendosin masa ndëshkuese edhe ndaj Beogradit zyrtar.
“BE-ja ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë. Politika e Jashtme dhe qasja e BE-së ndaj partnerëve janë formuar unanimisht nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre.
Gjëja e fundit që kemi bërë në dritën e përkeqësimit të situatës në Veri të Kosovës ishte vendosja e disa masave ndëshkuese kundrejt Qeverisë së Kosovës për shkak të mos-gatishmërisë së kësaj të fundit për të shtensionuar situatën. Nëse shtetet anëtare vendosin atëherë ne do të prezantojmë masat e nevojshme edhe kundrejt Serbisë”, tha ai në një konferencë për media. Duke folur për masat ndëshkuese të vendosura Kosovës muaj më parë, Stano përsëriti se të njëjtat janë të kthyeshme dhe se një gjë e tillë varet nga mënyra se si Kosovës do të veprojë për të de-eskaluar situatën dhe për t’u kthyer në një proces normal të normalizimit të marrëdhënieve.