Shqipëria ka një nënkampion Europe në boks. Bëhet fjalë për talentin 14-vjeçar, Kristian Jubani, i cili mori medaljen e argjendit në Kampionatin Europian Maribor 2023, të zhvilluar në Slloveni.
I udhëhequr nga trajnerët e kombëtares, Renato Kurti dhe Antonet Rapushi, talenti kuqezi shkëlqeu në eventin kontinental. Ai fitoi ndeshjet kundër Malit të Zi, Sllovakisë dhe Gjermanisë, teksa humbi me vendim unanim në finalen përballë Mykhailo Sydorenko të Ukrainës. Përfaqësimi i Kristian Jubanit është një rastësi fatlume për boksin shqiptar. Djaloshi është rritur në Irlandë, ku ka praktikuar sportin e boksit dhe madje është shpallur dy herë kampion i atij vendi. Familja Jubani nuk i humbi për asnjë moment lidhjet me Shqipërinë dhe gjatë kësaj vere erdhën në vendlindje për pushime. Ata kontaktuan me trajnerin e mirënjohur Zef Gjoni, duke e prezantuar me talentin e ri të ringut, që kërkonte të përfaqësonte ngjyrat kuqezi.
Vetëm pak javë më pas, djaloshi u bë pjesë e Kombëtares së boksit dhe tashmë i dhuron Shqipërisë një prej rezultateve më të larta në historinë e këtij sporti, në arenën ndërkombëtare. Me titullin nënkampion Europe të Kristian Jubanit, e ardhmja e boksit kuqezi premton për të tjera arritje madhore.