Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani është shprehur sot se tërheqja e Policisë së Kosovës nga komunat në veri shënon hap të rëndësishëm për shtensionim dhe normalizim. Diplomati i Maqedonisë së Veriut ka potencuar se mirëpresin hapa të mëtejshëm përpara. “Fillimi i tërheqjes së forcave speciale të Kosovës nga komunat veriore shënon një hap të rëndësishëm përpara: shtensionim, normalizim dhe rajoni stabil, i parashikuar me 9 pika nga udhërrëfyesi i OSBE-së”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Sot, u vendos që të largohen edhe 25% e forcave policore të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri të vendit. Vendimi u mor pas vlerësimit të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi për KosovaPress se situata e sigurisë në veri të vendit vlerësohet të jetë e qetë, stabile, por delikate.