Pasagjerët e trenave midis Zvicrës veriore dhe jugore do të duhet të anashkalojnë tunelin më të gjatë hekurudhor në botë dhe t’i kthehen rrugës alternative për muaj të tërë, pasi një tren mallrash doli nga shinat dhe shkatërroi binarët.

Autoritetet në Zvicër kanë vendosur të mbyllin tunelin më të gjatë në botë hekurudhor, pas daljes së një treni nga shinat, aksident që e dëmtoi atë rëndë.

Në një deklaratë për mediat, shërbimi hekurudhor zviceran deklaroi se nuk ka një datë të saktë se kur mund të hapet tuneli, teksa shtoi se vagonët e trenit të aksidentuar më 10 gusht, janë ende brenda tij.

Tuneli i Gotthard u hap në vitin 2016. Për ndërtimin e tij u deshën 20 vite, teksa kostoja arriti 12 miliardë dollarë.

Shefi ekzekutiv i hekurudhave, Vincent Ducrot u shpreh se Gotthard është një prej tuneleve më të sigurt në botë dhe se kjo ngjarje e ka dëmtuar rëndë imazhin e kompanisë.

Në aksidentin e 10 gushtit, të paktën 15 vagonë dolën nga shinat, por fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar.

Rreth tetë kilometra shina dhe 20,000 lidhje betoni hekurudhore duhet të zëvendësohen. Riparimi mund të zgjasë deri në fund të këtij viti.