Organizmi që qeveris futbollin evropian, UEFA, ka shpallur të enjten pasdreke edhe listat përfundimtare të 3 kandidatëve për më të mirët e vitit, si sa u përket futbollistëve, ashtu edhe trajnerëve. Dhe, natyrshëm, Mançester Siti, skuadra që fitoi 3 trofetë e sezonit të shkuar dhe i shtoi të mërkurën atyre edhe Superkupën e Evropës, është ajo që mbizotëron, teksa 3 nga 6 kandidaturat janë të saj. Kështu, për Çmimin e “Lojtarit Evropian të vitit” për sezonin 2022-2023, janë përzgjedhur si kandidatë përfundimtarë dy futbollistët e Mançester Sitit, mesfushori Kevin De Brujne dhe sulmuesi Erling Ha’aland, së bashku me Lionel Mesin, i cili e udhëhoqi dimrin e shkuar përfaqësuesen e vendit të tij, Argjentinën, drejt titullit të kampiones së botës në Katar.
Ndërkaq, sa u përket 3 kandidaturave për Çmimin e “Trajnerit Evropian të vitit” për sezonin 2022-2023 ato janë dy trajnerët e finales së Ligës së Kampioneve, ai i Mançester Sitit, Pep Guardiola, dhe ai i Interit, Simone Inzagi, por edhe Luçiano Spaleti, trajneri që e udhëhoqi Napolin e tij drejt titullit të 3-të të kampiones së Italisë në një sezon të jashtëzakonshëm. Kjo listë lojtarësh është përpiluar nga grupi i studimit teknik të UEFA-s, duke u bazuar në paraqitjen e tyre apo skuadrave të tyre, si në nivel klubi, ashtu edhe në nivel të ekipeve përfaqësuese. Fituesit do të shpallen më 31 korrik 2023, gjatë ceremonisë së hedhjes së shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve, që do mbahet në “Grimaldi Forum” të Monakos.