Një korridor i përkohshëm humanitar është krijuar për të ndihmuar anijet tregtare të bllokuara në portet e Detit të Zi të Ukrainës, njoftoi marina e vendit. Anijet pritet të fillojnë ta përdorin brenda disa ditësh, ndërsa zëdhënësi Oleh Chalyk tha se rruga do të përdoret gjithashtu për lëvizjen e grurit dhe produkteve bujqësore.

“Korridori do të jetë shumë transparent, ne do të vendosim kamera në anije dhe do të ketë një transmetim për të treguar se ky është një mision thjesht humanitar dhe nuk ka qëllim ushtarak”, u shpreh ai.

Megjithatë, kërcënimi ushtarak nga Rusia dhe minat e vendosura në det ende përbëjnë një rrezik, thuhet në një deklaratë të veçantë të marinës. Anijet kanë mbetur të bllokuara në portet e Detit të Zi që kur Rusia u tërhoq nga një marrëveshje kyçe e drithit muajin e kaluar, e cila kishte lejuar që produktet të eksportoheshin në mënyrë të sigurt.