Ukraina dhe Kroacia kanë arritur një marrëveshje për mundësinë e përdorimit të porteve kroate në Danub dhe Adriatik për eksportin e grurit ukrainas.
Konfirmimi u bë nga ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, pasi priti homologun e tij kroat, Gordan Grliq-Radman.
“Ne kemi rënë dakord për mundësinë e përdorimit të porteve kroate në Danub dhe Detin Adriatik për transportin e grurit ukrainas. Tani do të punojmë për të krijuar rrugët më efikase drejt këtyre porteve dhe do të shfrytëzojmë sa më shumë këtë mundësi. Çdo derë e hapur është një kontribut real dhe efektiv për sigurinë globale të ushqimit. Faleminderit Kroacisë për ndihmën e saj konstruktive”, deklaroi Kuleba, transmeton Alsat-M.
Ministria e Jashtme e Ukrainës denoncoi se sulmet ajrore ruse shkatërruan rreth 180,000 tonë kultura gruri në nëntë ditë këtë muaj. Pas rinovimit të dështuar të marrëveshjes së grurit, rusët goditën disa herë infrastrukturën portuale në Ukrainë, më së shumti në Odessa.