Nga Jeton Selimi/
Partizani luan nesër ndaj Astanës shansin e tij të madh për të kapur për herë të parë në historinë e tij të madhe grupet e një veprimtarie europiane. Për më të vjetrit, nostalgjikë të atij gurëthyesit të jashtëzakonshëm të drejtuar nga Loro Boriçit, “ndeshje si ajo ndaj Sëlltikut apo Torinos nuk vijnë më”. Por kohët kanë ndryshuar.
Futbolli ka hyrë në të tjera dimensione, UEFA ka bërë çmos që të kapitalizojë çdo sekondë në fushën e blertë. Kjo ka sjellë të tjera shorte, të tjera ndarje dhe të tjera nivele. Sot futbolli shqiptar është ai që është. Në një alfabet të kthyer mbrapsht, një klub shqiptar duhet ta nisë nga Zh-ja për të arritur sa më lart të jetë e mundur.
Kjo për shkak dhe të diferencave të mëdha me ligat e rëndësishme, por edhe me ato të dorës së dytë. Flamurtari i lavdishëm i viteve ‘80 arriti në 1/8-at të Kupës UEFA, ku u eliminua nga Barcelona. E përkthyer, finalja ishte vetëm dy nivele më tej. Sot, klubet shqiptare këto finale mund t’i shohin veç me ndonjë teleskop pasi për të shkuar në 1/8-at duhet të kalojnë fazën e grupeve dhe më tej edhe 1/16-at!
Këtë hyrje të gjatë nuk e bëra më kot. Doja thjesht të shkundja ata që duan të shohin në futbollin e Patriarkut Duka nivelin e ndeshjeve që shohin çdo fundjavë në kampionatet elitare, që ëndërrojnë pasime si të Kevin de Bryjnit, driblime si të Mesit dhe para porte fuqinë 8-të ballëshe të Halandit. Harrojeni!
E vërteta jonë është ndryshe. është nesër në “Elbasan Arena”, 1 gol larg ëndrrës më të madhe të realitetit tonë të ri! Lojtarët duan mbështetjen e tifozërisë dhe tifozëria duhet të bindet e të pranojë realitetin e ri europian të klubit. Këtu e kam fjalën për atë oqeanin e madh të kuq që përton të lëvizë nga kolltuku i shtëpisë apo karrigia e lokalit. Nësër në orën 20:00, legjenda e futbollit shqiptar do provojë kualifikimin. Partizani ka nevojë për ju!