Një 20-vjeçar i maskuar dhe i armatosur, kishte hyrë gjatë natës, në një market në shërbim në Durrës, me qëllim vjedhjen e parave në kasë.
Kristjan Prenga, është grabitësi i armatosur, i cili u arrestua në flagrancë, brenda marketit.
Pas marrjes së njoftimit se rreth orës 21:50 të mbrëmjes së djeshme, një shtetas i maskuar dhe i pajisur me armë zjarri, kishte hyrë në një market në lagjen nr.13, gjatë kohës që ky subjekt ishte në shërbim, për të vjedhur, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të Policisë, në kuadër të operacionit policor “Alarmi”, u parandaluan ngjarje që mund të sillnin pasoja për jetën e shtetasve që ishin të pranishëm në këtë subjekt, si dhe u arrestua në flagrancë, brenda marketit, pa kryer ende vjedhjen, autori i këtij rasti, shtetasi K. P., 20 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, me të cilën kanosi 20-vjeçari, për të kryer vjedhjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.