Një 23-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur targat e 13 automjeteve në zona të ndryshme të kryeqytetit, të cilat do t’i dërgonte më pas jashtë vendit, për tu përdorur në ngjarje kriminale nga shtetas të huaj.
I dënuar më parë në Belgjikë, për përfshirje në fushën e narkotikëve, 23-vjeçari, me iniciale J. L., është arrestuar në flagrancë në rrugën “Misto Mame” teksa vidhte targat e disa automjeteve.
I riu kishte synim t’i dërgonte jashtë Shqipërisë targat e vjedhura, me qëllim përdorimin e tyre nga shtetas në huaj në veprimtari e ngjarje kriminale.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 23-vjeçar, gjatë ditës së djeshme, ka vjedhur targat e 11 automjeteve të ndryshme, në zonën e Yzberishtit, Misto Mames dhe të Kombinatit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 targa të shteteve të ndryshme, të vjedhura.
Vijon puna për dukumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.