Vllazania e futbollit të femrave tashmë po bëhet gati për eksperiencën e saj të radhës në Ligën e Kampioneve, kompeticion ku një edicion më parë shkruanin historinë, duke avancuar deri në fazën e grupeve.

Siç dihet shorti i raundit të parë ka vendosur vajzat kuqeblu në Grupin 7, me Vllazninë që në takimin e parë do të ketë një derbi shqiptar, teksa do të sfidojë Hajvalinë e Kosovës. Së fundmi UEFA ka zyrtarizuar datat dhe oraret për ndeshjet e këtij grupi, të cilat do të luhen të gjitha në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Kështu më 6 shtator në takimin e parë në orën 10:00, do të zhvillohet përballja ndërmjet Valur (Islandë) dhe Fomget Gençlik (Turqi). Në të njëjtën datë, por në orën 18:00, do të përballen Vllaznia dhe Hajvalia.
Ndërkohë më 9 shtator në orën 18:00 do të ndeshen me njëra-tjetrin fituesit e çifteve respektive, për të përcaktuar ekipin që do të kualifikohet në raundin tjetër.

Ndërsa në të njëjtën ditë, më herët, në orën 10:00 do të sfidohen dy ekipet humbëse, ndeshje që vlen për të përcaktuar klasifikimin final të Grupit 7. Në raundin e parë të “Women’s Champions League” marrin pjesë 41 skuadra, të ndara në 11 grupe.