Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç deklaroi se nëse Ukraina do të njihte pavarësinë e Kosovës, do t’i krijonte një problem më të madh vetes sesa Serbisë, sepse në atë rast nuk do të kishte kredibilitet për të mbrojtur çështjen e sovranitetit të shtetit të saj.

Vuçeviç shtoi se Serbia e konsideron Ukrainën një vend mik, i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që ka qenë gjithmonë i drejtë ndaj sovranitetit të Serbisë, shkruan Euronews Serbia.
Duke komentuar ndalimin e importit të produkteve serbe në Kosovëi, i cili ka dy muaj që ka hyrë në fuqi, Vuçeviç thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar një hap më tej.

“Kryeministri Albin Kurti, merr disa sanksione, por tani po shkon një hap më tej, tani po anulon kompanitë dhe shoqëritë ekonomike që janë të regjistruara në Prishtinë në përputhje me legjislacionin e tyre, në përputhje me rregullat e institucioneve të përkohshme të Prishtinës, sepse përdorin fjalën Serbi, që po ndodh në MTS dhe kanë paralajmëruar anulim të mëtejshëm”, theksoi ai.