Ousmane Dembele do të largohet nga Barcelona, duke i hapur jo pak punë trajnerit Xavi. I cili nuk e ka fshehur se mbeti i zhgënjyer nga francezi. Një futbollist të cilin e vlerësonte shumë.
Gjithsesi, 26-vjeçari vendosi të vazhdonte karrierën te PSG, që pagoi klauzolën prej 50 mln eurosh. Tekniku i Barcelonës tani duhet të mendojë për zëvendësuesin e Dembele, një mision tepër i komplikuar. Me problemet e bilanceve financiare, por dhe mungesën e opsioneve, Xavi do të kërkojë zgjidhje me organikën që ka. Edhe pse nuk do të jetë e lehtë për të mbyllur gropën që do të lërë largimi i sulmuesit të djathtë.
Alternativat brenda familjes katalanase janë Raphinha, Ferran Torres, Ansu Fati apo Abde Ezzalzouli. Njëri prej tyre pritet që të pozicionohet në krahun e djathtë të sulmit. Edhe pse ish-mesfushori do të preferonte një “dhuratë” nga merkatoja.
Por çdo ditë që kalon e bën të vështirë afrimin e një lojtari me cilësi dhe kosto të ulët. Ndaj Xavi synon që të arrijë me lojtarët që ka nën urdhrat e tij, ta bëjë sa më pak të dukshme mungesën e francezit.