Analisti Edvin Kulluri thekson se me mënyrën se si po vepron opozita për zgjedhjet e pjesshme në Kukës, po shkon drejt humbjes. Në një intervistë për ABC News, analisti theksoi se PD duhet të ketë fuqi që të kapërcejë ngërçin e brendshëm ndërsa mbështetësit e Foltores duhet të ndahen nga Berisha.
“Së pari nuk po shkojmë drejt zgjedhjeve por drejt humbjes. Situata është e qartë. Humbja do të jetë edhe më e rëndë sesa e Sinamatit për të njëjtën arsye. PD është e ndarë në dy pjesë, humbet energji në debatin e brendshëm se kush është shumica dhe më legjitimi. Formalisht është Basha kryetari i PD në gjykatë, Berisha edhe vetë nuk është i qartë se çfarë që përfaqësonin. Kemi dy popuj demokrat me dy kryetar të ndryshëm. Historia vazhdon dhe përsëritet si me 6 mars dhe 14 maj.
Ajo që ka rëndësi nuk është se ca po ndodh, por se çfarë duhet të ndodhë nga shtatori e tutje. Ky është problemi që duhet shtruar për diskutim nga të dy krahët. A do të ketë fuqi që PD zyrtare të nisë një projekt politik ose të kapërcejë këtë ngërç të brendshëm dhe të shohë përpara për një agjendë politike dhe nëse do të kenë fuqi brenda Foltores që të heqin dorë nga partia e një njeriu për të bashkuar PD zyrtare ose për të nisur një projekt politik tjetër që mund të jetë i suksesshëm.“, theksoi Kulluri.
Ai thotë se në këto kushte në të cilën ndodhet opozita, edhe sikur do të përsëriteshin zgjedhjet, rezultati për Foltoren dhe PL-në do të ishte edhe më i keq.
“Sikur të përsëriteshin zgjedhjet, rezultati për Foltoren dhe LSI do të ishte shumë më i keq se 14 maj ndërsa i palës tjetër, nëse do të dinë ta kapitalizojnë këtë situatë dhe të reflektojnë pas kësaj çatranosje 2, 6 apo 10 vjeçare në PD, mund t’ja japin një shans vetesh. Por kjo nuk e përjashton edhe krahun e Foltores t’i japin një shans vetes që ta mbyllin projektin personal të Berishës dhe të nisin një projekt politik.”, shtoi analisti.