Kryefjala e këtyre ditëve të shtatorit padyshim që është përfaqësuesja kuqezi, sukseset e së cilës po na çojnë edhe më pranë realizimit të objektivit që është kualifikimi në finalet e Europianit Gjermani 2024.

Kanë qenë rezultate, dhe fryma e re e sjellë nga trajneri Sylvinho në këtë grup super të talentuar djemsh që ka marrosur tifozët e kombëtares dhe të gjithë shqiptarët, duke filluar kërkesat e padëgjuara ndonjëherë për të qenë në stadium, rreth 300.000 për 22 mijë vende që ka Arena Kombëtare deri tek mbajtja e një fanelle të kësaj ecurie pozitive dhe që mund të rezultojë në përsëritjen e historisë për kualifikimin sërish në finalet e Euro2024-s ashtu si në Euro 2016-të.
Prej fillimit të këtyre eliminatoreve tashmë fanellat e lojtarëve kryesorë të ndeshjeve, kanë dalë në ankand nga faqja e specializuar për ankande të fanellave sportive matchwornshirt, dhe fanellat e protagonistëve të ndeshjeve qëndrojnë aty në shitje për një afat gati 2 javorë.
Gjithçka ka filluar me ndeshjen Poloni-Shqipëri, ndeshja hapëse e këtyre eliminatoreve ku kuqezinjtë u mundën 1-0. Për atë ndeshje fanella më e shitur është ajo e Ylber Ramadanit 474 stërlina, ose 553 euro, ose 58 mijë lekë.
Fanellat shiten në versionin normal të lojtarit, por edhe të firmosura nga lojtari, në varësi të kërkesës së blerësit.
Po ashtu ankandi është zhvilluar edhe për ndeshjet e tjera, ku çmimet e ofertuesëve kanë qenë të këtij niveli pak a shumë. Por barazimi në Ceki dhe fitorja e fundit me Poloninë në kryeqytet ka sjell edhe bumin e kërkesave për shitjen e fanellës së protagonistit. Për ndeshjen e Pragës protagonist ishte Nedim Bajrami me supergolin e shënuar që solli edhe barazimin e rezultatit, fanella e tij është edhe ajo që ka marrë çmimin më të lartë në ankand. 1488 stërlina, apo 1737 euro ose në parashqiptare, në 1.8 milion lekë.
Kjo është hera e parë që, në këtë edicion që fanellat e kuqezinjëve dalin në një ankand të tillë dhe për momentin janë pikërisht djemtë e këtij brezi që po bëjnë edhe çudinë e rrjetit me kërkesat, për të patur një fanellë pjesë e protagonizmit të këtyre eliminatoreve, që mbeten në një rrugë të mbarë drejt një tjetër faqeje të historisë.