Me 13.025 vota, Partia socialiste fitoi Kukësin për të dytën herë.
Kandidati socialist Arben Halilaj mori mandatin në këtë bashki me 5600 vota më shumë se rivali i tij, kandidati i koalicionit bashkë fitojmë Emri Vata, rezultat i cili kaloi edhe votat e 14 majit, duke kapur 2000 vota më shumë edhe se Safet Gjici. Por humbja e zgjedhjeve në bashkinë e Kukësit u prit me heshtje nga opozita. I vetmi që reagoi pas përfundimit të procesit të numërimit ishte kandidati Vata që shkroi në rrjete sociale se gara ishte e pabarabartë dhe e shitur.
“Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasë nevojë për dorëzanë”, u shpreh Emri Vata.
Sali Berisha nuk pranoi pyetje nga gazetarët në konferencën e të hënës ku u fokusua te situata e Kosovës, por mbrëmjen e djeshme në një studio televizive deklaroi se gara ishte e pamundur të fitohej. Ai tha se Çfarëdo që të bënte kandidati i opozitës Emri Vata ai kurrë nuk e realizonte dot fitoren. Sipas Berishës 2 mijë patronazhistë që janë të regjistruar në qarkun e Kukësit kanë tjetërsuar votën dhe akuzon se votat u blenë. Ilir Meta ndan të njëjtin mendim me Berishën, ku shpalos pritshmëritë e ulëta për fitoren e Kukësit.
“Zgjedhjet e Kukësit janë thjesht një faqe më shumë në librin e zi të 14 majit dhe një tregues i partisë shtet që kontrollon në mënyrë shumë të qartë botën e qytetarëve shqiptarë”, tha Ilir Meta.
Pavarësisht akuzave politike që nuk e njohin Albert Halilajn si kryetarin e ri të kuksisanëve, Berisha dhe Meta nuk kanë dorëzuar ende pranë KQZ-së ankimime për rezultatin e 24 shtatorit, mirëpo kanë edhe 3 ditë kohë për të shpresuar për këtë bashki.
Ndërsa Lulzim Basha shfaqet indiferent ndaj votave të opozitës në Kukës, edhe për shkak se nuk mori pjesë në garë me një kandidat, por kryetari i degës së partisë demokratike në Kukës nuk kurseu një shuplakë për koalicionin bashkë fitojmë. Sipas Arif Rexhmatit, në Kukës nuk fitoi PS-ja, por humbi Berisha dhe Meta për herë të dytë, duke bërë pazar në kurriz të demokratëve.
“Kukësi, bastion i së djathtës, u la në dorë të së majtës prej pseudo “të djathtëve”. Ne Kukës dhe në gjithë Shqipërinë alternativa e servirur si e djathtë nga koalicioni “BF” , në të vërtetë nuk ishte asgjë më tepër por një sallatë politike me mbetje të së djeshmes komuniste, të korruptuar të ngelur pa prenë e tyre; pushtetin e marrë me votën e njerëzve të ndershëm dhe të përdorur për interesa personale”, u shpreh Arif Rexhmati.