Napoli u ndal sërish në kampionat me të kaltrit që nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola në transfertë ndaj Bolognas. Ky start plot ulje e ngritje në Serie A, bën që tifozët napoletan të kontestojnë trajnerin Rudi Garcia. Madje, një pjesë e tyre kërkojnë me ngulm që francezi të largohet pa shkaktuar më pas dëme të parikuperueshme për pjesën e mbetur të sezonit.

Megjithatë, vetë Garcia i kundërpërgjigjet tifozëve dhe shprehet se ata që nuk e duan në Napoli janë vetëm një pjesë e vogël dhe se pjesa më e madhe mbështet skuadrën edhe në kohë të vështirë.

“Nuk mund të dëgjoj një grupim të vogël që ka nisur të ulërasë me të madhe sepse unë jam i bindur se pjesa më e madhe janë në mbështetje të skuadrës dhe po ashtu në krah të trajnerit dhe lojtarëve. Gjendemi në një situatë ku edhe fati nuk ka ndihmuar, por unë e them gjithnjë se burrat e vërtetë duken në kohë të vështira. Tani duhet të ringrihemi shpejt”, u shpreh Garcia.