Teksa Kryeministri Rama ka nisur të drejtojë seancën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vendimi për t’i dhënë fjalën Presidentit të Ukrainës, ka shkaktuar një debat mes tij dhe ambasadorit të Rusisë në Kombet e Bashkuara.
Përfaqësuesi rus e pyeti Ramën se “mbi ç’bazë propozoni t’i jepet fjala presidentit Zelensky përpara se të flasin përfaqësues të vendeve anëtarë të KS?”
Në përgjigje Rama tha se “ky vendim nuk është një operacion i posaçëm i presidencës shqiptare por një vijimësi i një praktike të konsoliduar të këshillit, në përputje të plotë me praktikat dhe udhëzimet e këshillit”.
Rama ka ironizuar kështu qëndrimin e Presidentit Rus Vladimir Putin, i cili e konsideron agresionin rus në Ukrainë, si thjesht dhe vetëm një “operacion special”, pavarësisht dëmeve që ka shkaktuar në jetë njerëzish. I pranishëm në sallë, Presidenti i Ukrainës përcolli me buzëqeshje falenderuese reagimin e kryeministrit shqiptar.