Paul Pogba po përjeton periudhën më të errët të karrierës së tij.
Francezi mësohet se ka rezultuar pozitiv me testosteron në një test dopingu më 20 gusht të vitit të kaluar pas ndeshjes Udinese-Juventus, në të cilën ai as nuk ka zbritur në fushë.
Prandaj, mesfushori i Juventusit do të pezullohet si masë paraprake dhe do të ketë tri ditë kohë për të kërkuar kundëranalizë. Nëse testi pozitiv konfirmohet, Pogba do të gjykohet nga gjykata kombëtare antidoping nëse nuk zgjidhet një marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Përjashtimi, në rastet e dopingut, arrin deri në dy vjet, dënim që mund të shkojë në katër në rast të vërtetimit se substanca e ndaluar është marrë me qëllim.
Bazuar në rastin e fundit në Serinë A, ku u përfshi Palomino i Atalantës, i cili më vonë u lirua pasi humbi katër muaj, francezi i Juventusit duhet të pezullohet për shkeljen e neneve 2.1 dhe 2.2, ato që kanë të bëjnë me “praninë e një substancë e ndaluar” dhe “përdorimin ose tentativën e përdorimit të një substance të ndaluar”.
Pas sfidës së Udines, ku nuk doli në fushë, Pogba luajti 52 minuta mes sfidave me Bolognan dhe Empolin, para se të zëvendësohej për shkak dëmtimi në ndeshjen kundër toskanëve.
Pikërisht në këtë kohë të vështirë për të, Pogba, i cili ka ka pranuar se ka menduar edhe tërheqjen nga futbolli, është në kërkim të ringritjes, por me daljen e çështjes së dopingut e ardhmja e tij në fushën e gjelbër mbetet e dyshimtë.