Kina ka sulmuar ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila e quajti presidentin Xi Jinping një “diktator”. Pekini zyrtar thotë se deklarata e diplomates gjermane ishte “një provokim të hapur politik” që ishte “jashtëzakonisht absurd”.

Baerbock e bëri këtë koment në një intervistë për Fox News më 14 shtator gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa foli për luftën në Ukrainë, ajo tha: “Nëse Putini do ta fitonte këtë luftë, çfarë shenje do të ishte kjo për diktatorët e tjerë në botë, si Xi? Prandaj Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë.”

Kina tha të hënën se ishte “shumë e pakënaqur” lidhur me deklaratën e saj: “(Komentet) janë jashtëzakonisht absurde dhe janë një cenim serioz i dinjitetit politik të Kinës dhe një provokim i hapur politik,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Mao Ning në një konferencë të përditshme për shtyp.