Në vazhdën e megaoperacionit antidrogë “Tempulli”, është vënë në pranga edhe një 19-vjeçar në Dibër, pasi tentoi që të shiste lëndë narkotike në afërsi të një shkolle. Mësohet se në pranga ka rënë Fabjan Rriçku.
Njoftimi i policisë:
“Policia e Dibrës në zbatim të masave të sigurisë në shkolla, për parandalimin dhe goditjen e shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave dhe nxënësve të shkollave, si dhe në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, është siguruar informacion se në afërsi të perimetrit të sigurisë së një shkolle të mesme në qytetin e Peshkopisë, shiteshin doza të lëndës narkotike cannabis sativa menjëherë është ndërhyrë për goditjen e këtij rasti.
Si rezultat shërbimet e Policisë, kapën dhe shoqëruan shtetasin F.Rr., 19 vjeç, banues në Dibër, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike e ndarë në doza.
19-vjeçari, në përfundim të veprimeve të para hetimore është proceduar penalisht, ndërkohë që në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.”