Fenomeni i përdorimit të drogës/ve është gjithnjë e më tepër në rritje dhe është kthyer në problem jo vetëm për vendin tonë por për çdo shoqëri të globit. Por cilat janë masat që marrin instancat përgjegjëse për të parandaluar këtë fenomen?
Në diskutimin e ‘Përballje’ nga gazetarja e Report Tv Besmira Pelushaj, specialistja e Institutit të Shëndetit Publik (ISP), Jonida Haxhiu thotë se ende nuk ka të dhëna konkrete për përdoruesit, apo konsumatorët e drogërave të ndryshme. Haxhiu thotë se puna po vijon. Sidoqoftë, qendrat rehabilituese dhe shoqatat japin një tjetër panoramë të këtij fenomeni, duke na konkretizuar me shifrat alarmante të përdoruesve të drogës.
“Është e vërtetë që çështja e drogës përbën një sfidë për gjithë shoqërinë. Nisur nga kjo ISP ka marrë një nismë konkrete për të ndërtuar një regjistër për të dhëna më koncize e korrekte për të krijuar një plan veprimi. Janë bërë disa studime për të dhënë një fotografi të shifrave dhe po synojmë që të kemi disa të dhëna që janë gjithëpërfshirëse.”- tha Haxhiu. Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Aksion Plus, Genc Muçollari thotë se numri i përdoruesve të drogës për këtë vit mund të ketë kapur shifrën e 70 mijë përdoruesve, duke shpjeguar se fenomeni është gjithnjë e më tepër në rritje.
“Edhe sikur të kenë përdorur një herë në jetën e tyre, bëhet fjalë për 6-0 mijë, të paktën vjet, ndërsa tani mund të ketë shkuar 70 mijë. Ne kemi një rritje të klientëve tanë, çdo vit kemi një rritje që varjon nga 50-60 çdo vit. Meshkujt janë ata që dominojnë, dhe heroina është problemi më i rëndë dhe që ka varësinë më të madhe.”- tha Muçollari. Edhe drejtuesi i qendrës së Rehabilitimit, Orges Hysenaj ‘Challenge Albania’ ka dhënë një panoramë të frikshme të konsumatorëve të drogës, të cilat sipas llogaritjeve të tyre kapin shifrat alarmante të 80-90 mijë përdoruesve.
“Kjo është një ndër çështjet që është në kohë dhe duhet adresuar në mënyrë të vazhdueshme për t’i dhënë zë. Ne kemi nevojë për më shumë hapësirë, kjo tregon që ka një numër të madh të rritjes të konsumatorëve të drogës që nga fëmijët te të rriturit. Janë 10 individë që po marrin trajtim. 80-90 mijë përdorues të varur prej drogërave në Shqipëri (të gjitha llojet e drogërave). Shqipëria nuk është vend postkomunist, ka të njëjtat problematika si çdo vend në botë e në rajon.”- tha Hysenaj.