Harry Kane është përshtatur mirë dhe shpejt te Bayern Munchen. Skuadër ku ka nisur menjëherë të bëjë atë që di të bëjë më mirë: shënimin e golave.

Në suksesin e thellë 7-0 kundër Bochumit, sulmuesi anglez realizoi tre gola dhe dhuroi dy asiste për shokët e skuadrës.

Shtatë gola në pesë takimet e para në Bundesliga për 30-vjeçarin, i cili theu rekordet e vendosura nga Gerd Muller (1965), Miroslav Klose (2007) dhe Mario Mandzukic (2012).

Ndërkohë që shënoi edhe në debutimin në Champions League me bavarezët. Kane ndihet i lumtur te Bayerni dhe me kalimin e kohës po njeh më mirë si funksionojnë rekordmenët gjermanë.

“Fitorja 7-0? E bëmë të dukej shumë e lehtë, për mënyrën se si luajtëm dhe mentalitetin që treguam. Mund të ishte një ndeshjen e komplikuar, pasi ata u bazuan te duelet një kundër një.

Gjithsesi, ne luajtëm me entuziazëm dhe zhvilluam një performancë të shkëlqyer. Ritmi ishte shumë i mirë dhe shfrytëzuam lojën nga krahët.

Jam i lumtur që mund të ndihmoj skuadrën në arritjen e objektivave. Skuadrën po e njoh gjithnjë e më mirë, ndihem realisht i lumtur. Shpresoj të shënoj edhe më shumë gola në të ardhmen”, deklaroi bomberi anglez