Policia britanike është në kërkim të tre personave të dyshuar si të lidhur me një vjedhje në shtëpinë e futbollistit të Çelsit dhe kombëtares angleze, Raheem Sterling.
Policia e Surrey është në kërkim të shtetasve shqiptarë Alfred Isufi, 48 vjeç, Gerard Kalaja, 22 vjeç dhe Henri Osmani, 44 vjeç, pas vjedhjes në rezidencën e yllit anglez vitin e kaluar, ndërsa ai ishte në Katar për Kupën e Botës.
Hetuesit mësohet se janë duke hetuar një sërë vjedhjesh në zonë, dhe janë duke pyetur tre shqiptarët në lidhje me 33 vjedhje në Surrey, Essex, Kent dhe Hertfordshire. Rreth 1 milion paund besohet se janë vjedhur gjatë këtyre bastisjeve, duke përfshirë shtëpinë e yllit të futbollit Sterling.
Në dhjetor, policia tha se prona e sulmuesit 27-vjeçar u bastis nga hajdutë për bizhuteri dhe orë, ndërsa askush nuk ishte brenda.
Ai u kthye në Britaninë e Madhe nga Kupa e Botës në Katar për të qëndruar pranë familjes së tij, e cila mbeti e tronditur pas krimit. Sterling nuk mori pjesë në fitoren 3-0 të Anglisë ndaj Senegalit gjatë turneut përpara se të kthehej në Katar për humbjen në çerekfinale kundër Francës.
Sakaq, të enjten, u caktua një seancë gjyqi për një 23-vjeçar shqiptar, po ashtu të akuzuar në lidhje me vjedhjen. Emiliano Krosi, banues në Southend-on-Sea, u paraqit në Gjykatën e Guildford Crown për t’u përballur me 33 akuza për vjedhje.