Mirlind Daku shënoi golin e parë me kombëtaren shqiptare, kjo në ndeshjen e tij të dytë me kuqezinjtë. Për “Kanal 10” në Kosovë, i ati i sulmuesit të Rubin Kazan, Fehmi Daku ka thënë se ai ka dashur që i biri të luante për Kosovën, ndërsa pas pritjes së gjatë kanë vendosur që të zgjedhin Shqipërinë.
“Unë kam insistuar gjithmonë që djali im të luante për Kosovën, sepse në Kosovë është rritur dhe në Kosovë është ngritur. Mirëpo nuk e di arsyen pse Kosova nuk e ka ftuar. Ne e zgjodhëm kombëtaren e Shqipërisë sepse nga Kosova pritëm mjaft, pritëm shumë”, tha Fehmi Daku.
Sulmuesi vendosi të zgjidhte Shqipërinë, duke lënë Kosovën, pasi nuk luajti asnjë minutë me ekipin e parë të Dardanëve. Shqipëria fitoi 2-0 me Poloninë në “Air Albania”, me golin e dytë që u shënua nga Mirlindi.
Veç sfidës me Poloninë, Daku debutoi te kuqezinjtë në barazimin 1-1 në Pragë kundër Çekisë, ndërsa në fund nuk i mbajti dot lotët për një mundësi të shpërdoruar.