Kosova posedon dosjen dhe dokumente tjera, megjithatë Serbia vazhdon t’i mbaj mbi një mijë artefakte arkeologjike. Ato janë marrë vetëm për një ekspozitë në Beograd, por nuk janë kthyer për më shumë se dy dekada.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha për KosovaPress, tha se ngecja në procesin e kthimit të artefakteve është çështje politike.
Rexha kërkoi nga qeveria që në bisedimet e radhës të vendoset si pikë diskutimi, kthimi i këtyre eksponateve arkeologjikë në Kosovë.
Para dy viteve ish-drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci kishte dërguar kërkesën zyrtare në adresat e Muzeut Kombëtar dhe atij Etnologjik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, që t’i kthejnë 1.247 artefakte që janë marrë nga lufta e fundit, në fund të viteve të 90-ta.
Ndaj kësaj kërkese ishte përgjigjur Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, duke thënë se të gjitha artefaktet që burojnë nga Kosova, janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Serbisë.
Këtë gjë e pohon edhe drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu, derisa thotë për KosovaPress, se pavarësisht kërkesave të deritanishme, nuk do të ndalen së kërkuari kthimin e eksponateve arkeologjik në vendin e tyre.
Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes emailit theksojnë se po punohet vazhdimisht në këtë drejtim, ndërsa potencojnë se në llogarinë zyrtare të tyre në rrjetin social Twitter, kanë nisur një fushatë informimi, publikojnë artefaktet dhe përshkrimin e tyre, të shoqëruara edhe me fotografi.
Pavarësisht këtyre kërkesave, deri më tani, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës i është kthyer vetëm një prej tyre. “Hyjnesha në Fron”, është një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja”, të Prishtinës.