Zhgënjimet më të mëdha vijnë shpeshherë nga ata që vlerëson më shumë. Dhe Olsi Rama e pranon se akuzat e Matondos në adresë të Partizanit pak ditë më parë e kanë mërzitur jashtë mase.Collage Maker-29-Sep-2023-08-26-AM-7982

“Zhgënjimi më i madh në aspektin personal. Nuk janë vetëm trillime ato që thotë, por janë padrejtësi. Kurrë nuk ka pasur racizëm apo pabarazi te klubi i Partizanit. Por, jemi klub profesionist, nuk mund të vonohesh gjithnjë nga 12 ditë edhe të mos marrësh gjobë sipas rregullores”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” drejtori i përgjithshëm i kampionëve të Shqipërisë.

Më pas Rama flet edhe për zhgënjimet sportive, situatën e Da Silvës dhe për formulën e re. Për këtë të fundit në fakt kritikat i ka “të pambukta”, por nuk e sheh situatën dramatike. “I bën të vakëta fazat e para, por mendoj që u jep më shumë mundësi talenteve”, thotë ai ndër të tjera.

Matondo është rasti i parë që një ish-lojtar i Partizanit flet keq pas largimit. Ai ka pretendimet e tij për trajtimin e lojtarëve më ngjyrë, gjoba selektive, si dhe probleme me biletat… A keni një koment ju si drejtor i përgjithshëm i klubit?

Është vërtet hera e parë. Këto 2-3 muaj të negociatave mes Matondos dhe Hatajsporit kanë qenë me shumë ulje-ngritje dhe historia e Shandrelit, e kam thirrur gjithnjë kështu për shkak të raportit më të afërt që kisha me të, është një nga zhgënjimet më të mëdha në planin njerëzor. Nuk e kam lexuar të plotë intervistën, por disa pasazhe. Më duket çudia më e madhe të dëgjoj emrin e Partizanit të lidhur me racizmin, sepse është padrejtësi e vërtetë, që një lojtar i Partizanit të shprehet në këtë mënyrë. Nuk e kam dëgjuar kurrë, edhe nga dikush që është jashtë Partizanit.

Sepse ata që janë brenda e dinë shumë mirë se si trajtohen të gjithë lojtarët, pa përjashtim. Absolutisht nuk është e vërtetë që ndaj Matondos janë vënë gjoba selektive, sepse gjobat te Partizani funksionojnë për të gjithë njësoj, të mbështetura në rregulloren e klubit.
Matondo është përsëritës për vonesat në rikthimet e tij në Shqipëri. Ai është kthyer me minimumi 12 ditë vonesë, duke krijuar situata që nisnin që nga sëmundja e vajzës, deri te vdekja e një personi, që e kishte rritur në fshatin ku ky duhet të shkonte të bënte varrimin dhe ku nuk kishte internet, deri te ritualet religjioze që ai bënte me familjen. Sipas tij, ne duhej ta linim, pasi edhe situatat me vajzën ndodhnin, sepse ai nuk kryente ritualet e tij me familjen. Në komunikimin tim me menaxherin e Masangës, kam parë mesazhet e xhaxhait të tij, që thoshte se Partizani nuk e ka trajtuar mirë dhe nuk i ka dhënë rrogat.

Kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi veç trajtimit, është lehtësisht e vërtetueshme që ne e kemi paguar. Në justifikimet e Matondos ishin ritualet dhe ne nuk e kemi penguar, ndryshe nga pretendimet e xhaxhait. Ne nuk pengojmë asnjë që të praktikojë besimin e tij fetar. Në planin njerëzor, është zhgënjim total.

Ai ka bërë mirë te Partizani, nuk ia heqim dot kujtimin e mirë në fushë, por për fjalët mbrapa dhe gjithë të tjerat është zhgënjim. Si drejtor i Partizanit më duhet ta lexoj të plotë, ta shikoj, të konsultohem dhe besoj se nëse aty ka akuzë të drejtpërdrejtë racizmi, na lind e drejta ta ndjekim në mënyrë ligjore situatën.

Për çfarë jeni “penduar” në lidhje me gjithë aventurën e Matondos te Partizani?

Jo, nuk jam penduar për asgjë. E vetmja gjë që do t’i thosha Masangës është që të mos gënjejë, sepse gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra dhe ne i kemi mësuar të gjitha gënjeshtrat e tij dhe thjesht kemi humbur respektin për dikë që mund të kishte lënë kujtim më të mirë këtu./PANORAMASPORT.AL