23 Shtator, Tiranë- Mbi 400 fëmijë morën pjesë në Kampionatin Kombëtar të Atletikës të zhvilluar sot në Tiranë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kanë ndjekur nga afër Kampionatin “Tirana Youth Run” në Parkun e Liqenit.
Ministrja Ogerta Manastirliu e vuri theksin tek masivizimi i sportit nëpër shkolla.
“Objektivi i qeverisë shqiptare, i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, është masivizimi i sportit, pra që ekipet sportive të jenë kudo në shkolla, ashtu sikurse i’a kemi dalë që me klasat sportive, më shumë se 4 mijë nxënës të jenë të angazhuar në të gjithë disiplinat sportive”,- nënvizoi Manastirliu.
Ministrja Ogerta Manastirliu u ka dorëzuar medaljet 3 fituesve; Enes Nikshiqi, i ekipit të Vllaznisë, Enea Mema nga Elbasani dhe Elvi Topi nga Skuadra e Skënderbeut, të cilët triumfuan në kategorinë e fëmijëve 8-11 vjeç.
Në Kampionatin Kombëtar të Atletikës morën pjesë 12 ekipe nga i gjithë territori i vendit: Tirana, Partizani, Skënderbeu, Lushnja, Mjeshtëria Sportive, Teuta, Fortius, Vllaznia, Laçi, Besëlidhja, Elbasani dhe Flamurtari.