Kreu i Parlamentit të shqipërisë, Lindita Nikolla ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku kërkon të dënohen vrasësit e policit të Kosovës dhe kërkon që KFOR të ndërhyjë për të ndaluar një përkeqësim të gjendjes.
“Dënoj me forcë sulmin e sotëm në afërsi të Banjskës në Veriun e Kosovës, si pasojë e të cilit një oficer i Policisë së Kosovës u vra dhe një tjetër u plagos. Urdhëruesit e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi dhe kriminelët duhet të dërgohen para drejtësisë.
I shpreh ngushëllimet dhe ndaj dhimbjen me familjen e oficerit të vrarë në krye të detyrës.
Ky akt brutal kriminal ndaj efektivëve të Policisë së Kosovës dhe pasojat e tij tragjike janë shenja se zhvillimet mund të përkeqësohen nëse nuk ndërhyhet nga komuniteti evroatlantik dhe KFOR për ndalimin e përshkallëzimit të situatës.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, sipas rekomandimeve të ShBA dhe BE, mbetet rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Nga ana tjetër, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht i domosdoshëm për sigurinë dhe paqen në rajon.”