Nga Eduard Zaloshnja
Vjet u futën në Shqipëri 7.5 milionë shtetas të huaj (https://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe-sh%C3%ABrbimet/turizmi/#tab2 ) – një rritje prej 17.7%, krahasuar me para-pandeminë. Këtë vit, 7.5 milionë shtetas të huaj janë futur vetëm deri në fund të gushtit. Dhe deri në fund të dhjetorit, kjo shifër mund të shkojë në 9 milionë…
Po nga erdhi kjo rritje galopante e vizitorëve të huaj në Shqipëri?
Qeveria shqiptare nuk ka financuar ndonjë fushatë publicitare në rrjetet televizive e internetore ndërkombëtare. As ka financuar reklama në stadiumet e famshme sportive (si për shembull reklama ‘Visit Rwanda’, që shfaqet në stadiumet e Premier League, etj.).
Për të kuptuar disi rritjen e popullaritet të Shqipërisë si destinacion turistik, duhet bërë një zhytje në internet, në kërkim të luahtjeve të shfaqjes së emrit Albania në të. Këtë lloj kërkimi më ndihmoi ta bëj specialist im IT, që më ndihmon për zhvillimin e sondazheve të mia.
Nga kërkimi i të gjitha faqeve në internet dhe i të gjitha rrjeteve sociale kudo në botë, na rezultoi se deri më 25 maj 2022, shfaqja e emrit Albania ishte minimale në sferën digjitale botërore. Por me fitoren e finales së Conference League në Tiranë nga Roma e Murinjos, shfaqja e emrit Albania pësoi një kërcim statistikor të habitshëm në sferën digjitale botërore.
Dhe qysh atëherë emri Albania ka ruajtur një prezencë të kënaqshme për një vend të vogël, që ishte poshtë radarit ndërkombëtar digjital para pandemisë…