Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë me Republikën Çeke më datën 7 shtator në Pragë, ndërsa tre ditë më pas më 10 shtator është sfida e dytë me Poloninë, që do të luhet në stadiumi “Air Albania” të Tiranës. Të dyja duelet vlejnë për kualifikueset e Europianit 2024, me tanët që janë në grupin E dhe në garë për një vend në finalet e turneut të Gjermanisë.
Nën drejtimin e trajnerit Sylvinho, tanët nisën dje përgatitjet, me lojtarët që ndihem gati. Në një komunikim për faqen zyrtare të FSHF-së, Odise Roshi, Ernest Muçi, Etrit Berisha, Thomas Strakosha dhe Elseid Hysaj tregojnë se janë gati.
Për Odise Roshin rikthimi në ekip është krenari, teksa ndihet si 19 vjeç.
“Si gjithmonë kthimi është krenari siç jam ndjerë 19 vjeç. Kombëtaren e gjeta me shumë ndryshime, nga hoteli, stafi, trajneri e fusha. Jemi takuar me çunat dhe janë të karikuar. Jam i bindur se ky grup shkon 100 përqind në Europian. Japim maksimumin dhe jam i bindur se do të jemi në Euro 2024”, tha fieraku.
Ernest Muçi kërkon të ndihmojë ekipin me gola dhe është i lumtur që falë formës së treguar te Legia ka marrë një ftesë për në ekip.
“Jam i lumtur që jam në Kombëtare dhe mora ftesë në këto ndeshje. Ne bëjmë shaka me njëri-tjetrin që fiton Polonia apo ne, por e shohim të dielën kush fiton. Kur merr ftesë duhet të japësh maksimumin dhe për sulmuesin mirë është të shënosh e ndihmosh ekipin edhe me asiste. Japim maksimumin për të qenë pjesë e Euro 2024 dhe falënderojmë tifozët”, tha Muçi.
Shkurtimisht folën edhe Berisha, Strakosha dhe Hysaj, që janë gati për dy ndeshjet vendimtare të tanëve.
Thomas Strakosha: Dita e parë shumë e bukur dhe me diell. Shpresojmë të fitojmë sepse na duhen këto pikë.
Etrit Berisha: Po bëhemi gati. Të shohim, jemi mirë. Me motiv shumë të lartë dhe besoj se do të kemi sukses.
Elseid Hysaj: Ndihem mirë sepse dita e parë. Të gjithë jemi mirë. Bëjmë pak batuta por jemi mirë të gjithë. Ndeshjen e fundit luajta dhe po kthehem në formë.