I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri dhe ka thënë se dhuna “e çfarëdo forme është e papranueshme”. Lajçak u bëri thirrje palëve të ulen menjëherë në dialog.

“Kryesit duhet të përballen me drejtësinë. Të gjithë duhet të kthehen në dialog, menjëherë”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në X.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Banjska të Leposaviçit ku është sulmuar patrulla policore e Kosovës. Persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.