Një formë fantastike këtë periudhë po kalon dhe Berat Gjimshiti. “Diga” kuqezi po udhëheq Atalanta-n, me të në formacion bergamskët nuk pësojnë gol në tre sfidat e fundit. Ekipi i Gasperinit kaloi Verona-n në transfertë me rezultatin minimal 0-1, ku Gjimshiti ishte protagonist absolut, i vlerësuar me notën 6,5, nota e dytë më e lartë. Në përfundim të sfidës, Gjimshiti foli si lider, ndërsa nuk harrojë as Shqipërinë pasi duke nisur nga kjo fundjavë Atalantën dhe Gjimshitin e pret një tur force:

“Një mbrojtje që po performon mirë? Nuk jam vetëm unë, është e gjitha skuadra që po bën mirë. Mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë së bashku”, u shpreh Gjimshiti duke folur më pas për sfidën e radhës, atë kundër Juventusit: “Është një kalendar i ngjeshur, nuk kemi kohë të mendojmë për fitoren, duhet të rikuperojmë mirë pasi na presin sfida të vështira. Është Juve, Europa League, Lazio dhe përfaqësuesja. Çdo ndeshje pasi përfundon duhet ta harrojmë, duhet të shohim përpara”, theksoi Gjimshiti pas ndeshjes.