Portieri i Milanit, Mike Maignan la mjaft pikëpyetje me deklaratën e tij të fundit në lidhje me të ardhmen e tij. Nga një event bamirësie në Villiers-le-Bel në Francë, ku Maignan ishte prezent, 28-vjeçari dha një intervistë kontradiktore që Milanit i kujton momentet e hidhura me Gianluigi Donnarumman.
“A do të jem unë pjesë e PSG? Jam nën kontratë me klubin e Milanit. Unë jam parisien dhe në futboll nuk i dihet kurrë së ardhmes”, tha Maignan. Më tej 28-vjeçari foli për shortin e Champions League ku Milani ra në grup me PSG, Newcastle dhe Borussia Dortmund. I pyetur nga mediat vendase për fatin e kuqezinjëve në grupin e “Ferrit”, Maignan u shpreh.
“Kam luajtur kundër PSG kur isha pjesë e Lille në Ligue 1. Do të jetë një ndeshje krejt tjetër kjo që do të vijë. Janë sfida fantastike dhe me shumë emocion”.- mbylli deklaratën e tij portieri Mike Maignan që në vitin 2022 u shpall kampion me Milanin dhe më tej është aktivizuar nga përfaqëuesja franceze e drejtuar nga Didier Deschamps.