Nga Jakin Marena
Nëse do të lëviznin balancat e qeverisjes, kalimi i Gazment Bardhit dhe disa deputetëve demokratë tek “Foltorja” e Sali Berishës do të përbënte sens, dhe ndoshta do të mirëkuptohej nga demokratët dhe populli opozitar.
E themi këtë sepse zakonisht lëvizjet e deputetëve përcaktojnë shumicën parlamentare e qeverisëse, dhe për pasojë në rastin e një mosbesimi ose votëbesimi të kryeministrit, apo një qeverie në tërësi, sipas Kushtetutës do ta rrëzonin dhe do të sillnin një kryetar qeverie dhe një kabinet të ri qeveritar.
Kështu të paktën ndodh në botën demokratike, pasi ky ‘sistem’ në Shqipëri s’ka dhënë asnjëherë rezultat. Ka qenë një rast vitin 2004, Fatos Nano asokohe kryeministër, për shkak të aleancës fluide të Ilir Metës dhe një grupi deputetësh të PS me Berishën në opozitë, rrëzoi dekretet e disa ministrave më të rëndësishëm të kabinetit, që për arsye të ndryshme kishin dhënë dorëheqjen, u vu në vështirësi. Por Nano i kishte numrat asokohe, ndërsa Meta nuk kërkoi votëbesimin e tij dhe ish kryeministri socialist qeverisi me disa zv.ministra në dikastere qëndrore.
Rasti i dytë ishte ai i vitit 2013, kur me nënshkrimin e aleancës parazgjedhore mes Ramës dhe Metës, Berisha mbeti me 70 deputetë, një më pak se sa shumica e thjeshtë për të mbajtur qeverinë në këmbë dhe për të hyrë në zgjedhje si kryeministër. Berisha bëri ‘pazar’ në grupin parlamentar të PS dhe ‘bleu’ në minutat e fundit të ‘mërkatos’ politike dy deputetë, duke e plotësuar kështu shumicën kushtetuese për të vazhduar qeverisjen.
Pra rëndësia e deputetëve duket pikërisht në raste mocionesh mosbesimi, besimi apo shkëputjeje të grupeve të deputetëve për të formuar një grupim më vete, në shumicën e rasteve të shoqëruara dhe me krijimin e partive politike. Atëherë ka rol qoftë dhe mandati i një deputeti për të mbajtur në këmbë qeverisjen dhe për shmangur zgjedhjet e parakohëshme.
Ka dhe raste politike kur në qeverisjet e brishta, pra kur ka nevojë dhe për një deputet, parti të vogla, ndoshta me një apo dy deputetë, lidhin marrëveshje me deputetë kundërshtarë të cilët i tërheqin në gjirin e saj, duke zmadhuar grupin parlamentar deri në dyfish apo trefish.
Një rast i tillë ndodhi dhe në Shqipëri para vitit 2013, kur kreu demokristian Nard Ndoka ia arriti që të bënte partinë e tij me 6 deputëtë, duke e shtuar me trefish. Dhe kjo i shërbeu për të ushtruar trysni ndaj Berishës kryeministër, dhe për pasojë Ndoka mori postin e ministrit të Shëndetësisë për vete. Pavarësisht rezultatit që mori në zgjedhjet më të afërta parlamentare.
I përmendëm të gjitha këto raste për të treguar me fakte se kur janë përdorur dhe kur kanë rëndësi jetike lëvizjet e deputetëve nga një krah në krahun tjetër apo nga një parti në një parti tjetër, por që janë të kufizuara brenda një mandati parlamentar, që mund të shkaktojnë rrëzim qeverie dhe tjetërsim mazhorance, zgjedhje të parakohëshme apo në rastin më të mirë për një parti në pushtet, presioni për t’i marrë një apo disa poste ministri nga ana e aleatit në qeverisje. Që për një parti si në Shqipëri që ‘vdes’ dhe nuk ikën nga pushteti në mes të mandatit, një post ministror më pak, është një asgjë.
Por teksa shohim e dëgjojmë zhurmën e krijuar rreth bashkimit të Gazment Bardhit me Berishën, dhe uljen në një tryezë katërkëndore të 43 deputetëve demokratë, plus dhe aleatë, si dhe lënia e Lulzim Bashës, kreut të PD zyrtare me 10 deputetë, mund të themi pa drojë se është një lëvizje rreth vetes. Pra pa nxjerrë asnjë produkt.
Ndodh kjo për një arsye të thjeshtë se asnjë deputet shtesë nuk kaloi tek opozita, në mënyrë që të rrezikonte qeverisjen e mazhorancës socialiste të drejtuar nga Edi Rama. PS vazhdon të ketë sërish 74 deputetë, shtuar dhe 3 deputetë të PSD që sikurse thotë dhe vetë Berisha, e mbështesin Ramën. Pra gjithsesj 77 deputetë. Ky numër nuk ka lëvizur, ndërkohë që levizja e Bardhit dhe e deputetëve të tjerë, është si të kalosh topin nga njëra dorë në tjetrën, pa bërë asgjë tjetër. Një xhonglim me një fjalë, por ndaj vetes dhe jo ndaj kundërshtarit politik.
Megjithë shpjegimet e Gazment Bardhit, por dhe të Berishës, i cili për hir të së vërtetës ndjehet mirë nga kjo lëvizje brenda PD-ve, ndonëse pa prodhuar asnjë deputet më tepër, pasi si ‘non grata’ funksional që është ka nevojë për një ‘dorë’ vëmendje aq më tepër në kurriz të Lulzim Bashës së rikthyer në krye të PD zyrtare, ajo që mund të themi është se përpos ‘telenovelës’ në PD, nuk sjell asgjë të re në politikën opozitare, madje as në atë shqiptare.
Bardhi ka një keqkuptim me veten, politikën, mbështetësit e tij, Berishën dhe çfarëdo tjetër që i sheh syri dhe i rrok mendja. Ai vazhdon të vetëquhet sekretar i Përgjithshëm i PD zyrtare, e cila sipas vendimit të gjykatës së faktit e konfirmuar dhe nga kreu i KQZ, e ka njohur Lulzim Bashën kryetar të PD, ka njohur dhe Kuvendin Kombëtar të tij të 2 shtatorit si dhe zgjedhjen e forumeve të reja, ku Bardhi dhe deputetët e tjerë që e ndjekin nuk figuron në asnjë cep si anëtar. Pra Basha pritet të zgjedhë sekretarin e ri të Përgjithshëm, nënkryetarët dhe kryesinë e partisë, zgjedhje që do të reflektojnë dhe në grupin parlamentar të PD zyrtare. Me aq deputetë sa i kanë mbetur.
Eshtë në të drejtën e Bashës që të formatojë grupin e vet parlamentar, qoftë dhe me 10 deputetë pasi ia lejon ligji dhe rregullorja e Kuvendit, të zgjedhë kryetarin, të zgjedhë nënkryetarin, me delegim pasi ka vendosur ta drejtojë vetë. Madje njërin nënkryetar ta dërgojë dhe në Parlament si numrin dy të Kuvendit. Juridikisht Basha është kryetar i PD, Berisha është i ‘pastrehë’, të cilit i është shtuar dhe Bardhi, me ikjen e tij tek “Foltorja”.
E themi këtë sepse Bardhi nuk ia dikton dot Bashës listën e deputetëve të këtij grupi as me votë dhe as në studiot televizive, nëse kreu i PD zyrtare ndërmerr këtë inicitaivë. Me sa duket Basha po bën apelet e fundit për deputetët që shkuan me Bardhin te Berisha që të jenë pjesë e grupit zyrtar të PD, pasi listën pritet ta dërgojë në Kuvend. Më pas automatikisht Bardhi dhe deputetët e tjerë që shkuan te Berisha mund të quhen deputetë të pavarur, ose do krijojnë një grup të pavarur parlamentar bashkë me ata të “Foltores” dhe aty mund të zgjidhet Bardhi kryetar grupi, por jo sekretar i Përgjithshëm. Pasi “Rithemelimi” është lëvizje jo parti. Të paktën deri më tani, pasi ndryshe Berisha nuk do hynte në zgjedhjet e pjesëshme në Kukës, me siglën e PL të Metës.
Bardhi ka një keqkuptim të madh, sepse e quan grupin parlamentar strukturë drejtuese. Ose njësi autonome përballë partisë që i ka kandiduar dhe mbështetur, me lista shumëemërore qark për qark. Nuk është forum vendimmarrës grupi parlamentar, që të diktojë madje dhe partinë. Katër vjet janë deputetë, katër vitet e tjera mund të mos kandidohet asnjëri prej tyre. Madje nuk janë as forum. Funksionojnë vetëm brenda forumeve drejtuese, janë të gjithë automatikisht anëtarë të Këshillit Kombëtar pa u votuar, për sa kohë janë deputetë. Kaq.
Teksa i rikthehemi përsëri diskutimit se çfarë fitoi Bardhi, “Foltorja” apo deri dhe PD përveç kënaqjes së egos personale dhe bërjes si të fortë në sytë e publikut dhe ndërkombëtarëve, ajo që mund të themi është se PD vijon të jetë në krizë, vijon të jetë e ndarë. Për më tepër ato 250 mijë vota opozitare që votonin PD-në e që bojkotuan në zgjedhjet e 14 majit e qëndruan në shtëpi pa votuar, vijojnë të qëndrojnë me mendjen top në mendimin se as në zgjedhjet e vitit 2025 nuk do të shkojnë në kutitë e votimit.
Mund të pyesin çdo mendje të shëndoshë: Pse duhet të shkojnë të votojnë dhe për kë? Të votojnë për grupimin e Berishës nën siglën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës apo dhe të një sigle të re të një partie politike, teksa lideri i saj, po Sali Berisha është ‘non grata” në SHBA, Britani dhe trajtohet si i tillë nga vendet anëtare të BE e deri vendet e rajonit, është për ta humbje kohe, më e pakta. Dhe për më tepër që aleatët tanë, ata që mbështesin Shqipërinë, e kanë bërë të qartë se nuk kanë partneritet me një parti që drejtohet nga një ‘non grata’, duke bërë thirrje ndaj demokratëve e mbështetësve të tyre që të mos e ndjekin pas të shkuarën. Pse të bëhen anti-amerikanë për hallin e Berishës, ndërkohë që nuk garanton as ardhjen në pushtet.
Të votojnë për Bardhin, i cili njëherë që doli në fushatë, shkaktoi vrasjen e një doktori në Elbasan, Pjerin Xhuvanit, akuzë e Berishës kjo, pasi s’ka lidhje me politikën. Madje i është krijuar bindja se politika bëhet vetëm në trekëndëshin brenda Tiranës, zyrë, studio televizive dhe zyrat e doktorit. Pa dalë në bazë, pa kauza, thjeshtë dhe vetëm duke u mbajtur pas teknicialiteteve dhe neneve të statutit. Kjo është mirë për një avokat, por jo për një lider grupimi politik. Pasi nëse e çon Bardhin apo dhe deputetët që shkuan tek Berisha në terren, për arsyet që përmendëm më sipër, por dhe për karizmën e tyre të munguar, nuk marrin kokërr vote. Nuk i ndjek askush me një fjalë.
Prandaj themi se kjo lëvizje deputetësh brenda një ‘ene’ politike, pas sjellë ndryshim numrash nuk sjell asnjë ndryshim në balancat politike në vend. Por mbi të gjitha nuk jep asnjë produkt për të ardhmen politike të copave të ndara të PD. Berisha sërish kryeson një parti në të ‘zezë’, ku në zgjedhje hyn me siglën e Metës, si në Kukës, Bardhi shkon te Berisha, dhe për çështje morali s’duhet të lëvizte për shkak të akuzave që ka lëshuar në drejtim të tij por dhe ‘besës’ së dhënë ndaj amerikanëve se nuk mbështet një ‘non grata’, shkon vetëm, ‘tek pullë’, pa asnjë mbështetës.
Ndonëse një dembel funksional, por me sa duket më i fituari po del Lulzim Basha, në krye të PD zyrtare. Ka pak deputetë, dhe sikur t’i kishte të gjithë deputetët opozitës bashkë, gjithkush do të ‘fikej’ përballë mazhorancës socialiste me 74 ose 77 deputetë, por ama ka qëndruar në të njejtin diskurs politik: Kundër, Ramës por dhe Berishës ‘non grata’ dhe me orientim drejt aleatëve të mëdhenj, SHBA, BE dhe Britania. Nuk ka ceduar në këtë drejtim, me shanse për të rritur mbështetjen nga zgjedhjet në zgjedhje. Praktikisht deputetët e ikur nuk i prishin asnjë punë. Dhe këtë e di dhe vetë Basha. Ndaj nuk është trazuar shumë.
Ndërkohë që në fund të herës, ne jemi të detyruar të presim se si do të funksionojë ‘martesa pa letra” dhe ‘brenda familjes” mes Bardhit e disa deputetëve demokratë e “Foltores”. Një ‘incest’ politik. Thjeshtë janë ‘martuar’ dy persona, pa lejen zyrtare të familjes politike respektive dhe këtë e tregojnë zërat kundër brenda PD e grupimit të Bardhit por dhe brenda “Foltores”. Ndërsa PD në tërësi vijon të jetë e ndarë pavarësisht këtij akti politik skarco, që nuk prodhon gjë.