Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e vlerësoi pozitivisht emërimin e ish-nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ministër i Pushtetit Vendor në qeverinë “Rama”. Veliaj deklaroi në “Real Story”, se qeveria dhe bashkia punojnë si një skuadër dhe ky kalim është thellim i bashkëpunimit mes tyre.
“Të marrësh për ‘Kombëtaren’ sportistë të mirë të Tironës quhet bashkëpunim, nuk quhet rrëmbim. Prandaj, jam optimist dhe ruaj entuziazmin, nuk merrem fare me llogje. Kam zgjedhur që të mos merrem me llogjet dhe intrigat sepse s’kam pikë interesi. Ata që i bëjnë ato janë një pjesë shumë e vogël e Tiranës, që as nuk lëviz elektoratin, as nuk merr vendimmarrje. Kështu që, edhe unë, kryeministri po e po, nuk merremi fare me intriga. Besoj se roli që Arbi do luajë si Ministër i Pushtetit Vendor është një rol që ne ia pamë dobinë gjatë kohës kur reformën e drejtonte Bledi Çuçi dhe i ndjeri Bashkim Fino. Ata bënë një reformë të jashtëzakonshme. Por, unë besoj, si kryetar bashkie sot, se reforma është ende e papërfunduar”, u shpreh ai.
Kreu i Bashkisë shtoi se mund të ketë nevojë për të vijuar me reformën në pushtetin lokal dhe ministri Mazniku mund të japë një kontribut të vlefshëm këtu. “Një ide është t’i kthehemi versionit fillestar të Reformës me 36 rrethe, të cilat kthehen me 36 bashki. Kemi disa bashki të vogla, si Memaliaj, një bashki me më pak banorë se sa Kashari, por është bashki më vete, kurse Kashari është një nga lagjet e Tiranës. Pra, në këtë sens, ka shumë gjëra për të rregulluar. Ka shumë gjëra për të bërë me ndërrmarrjet bashkiake. Bashkia e Tiranës, ka ndërmarrje që sjellin para. Ujësjellësi i Tiranës është i vetmi ujësjellës që del me bilanc pozitiv dhe ka mundësi të marrë kredi. S’ka asnjë arsye që reforma në ujë mos të vazhdojë. Ndaj, besoj se nga kalimi i Arbit nga ‘Sport Klub Tirana’ te ‘Kombëtarja’, është një thellim i bashkëpunimit”, tha Veliaj.