Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me një ngjarje të bërë publikë ditën e djeshme (6 shator), ku një i mitur qante me dënesë në autobus dhe tregonte se një person e dhunonte dhe refuzonte të shkonte tek ai.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të postuar në portalin JOQ, në të cilën shfaqet një shtetas i mitur që tregon se dhunohet nga një shtetas, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të pamjeve, kanë organizuar punën për verifikimin e rastit. Si rezultat i veprimeve, është identifikuar dhe shoqëruar në komisariat, autori i dyshuar për këtë rast, shtetasi A. H., 65 vjeç, banues në Tiranë.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i tij, për veprën penale “Dhuna në familje” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, dhe materialet procedulare i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.