Shqipëria po bëhet gati për debutimin his torik në kompeticionin më të rëndësishëm të minifutbollit, siç është Kampionati Botërori 2023, eveniment që do të mbahet nga 26 tetori deri më 4 nëntor në Ras Al-Khaimah të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në qershor Kombëtarja kuqezi njohu edhe rivalët e grupit, teksa u shortua në Grupin F së bashku me Sllovakinë, Francën dhe Anglinë. Shqipëria pritet të nisë stërvitjet më datë 18 shtator, për të qenë sa më e gatshme për evenimentin më madhor në rang global të minifutbollit, siç është Kampionati Botëror.
Sigurisht boshti i skuadrës përfaqësuese mbetet padyshim Prestige, që është edhe ekipi më i suksesshëm shqiptar i kompeticioneve të minifutbollit, një model ku mbështetet edhe Kombëtarja.
Shqipëria ka planifikuar gjithashtu edhe 2 ndeshje miqësore gjatë muajit tetor, respektivisht më 14 në Prishtinë kundër Kosovës dhe më datë 21 në Podgoricë ndaj Malit të Zi.
Më poshtë le të shikojmë edhe një përmbledhje të shkurtër të ekipeve të Grupit F, aty ku kundërshtari më i rrezikshëm në letër për Kombëtaren tonë konsiderohet Sllovakia.
SLLOVAKIA – Sllovakët kanë shfaqur rritje të madhe dhe zhvillim të shpejtë në minifutboll gjatë viteve të fundit. Në Kupën e Botës “WMF 2019” ata fituan grupin e tyre, për t’u mundur më pas në çerekfinale nga Brazili me rezultatin 2-1.
Në Kampionatin Europian 2022 Sllovakia përsëri ishte fituese e grupin, por më tej u mposht në çerekfinale nga Azerbajxhani në shifrat 1-0, me azerët që do të shpalleshin fitues të kompeticionit.
Ndërsa së fundmi sllovakët përfunduan në vendin e 3-të në Lojërat Europiane të Kombeve me një triumf të madh ndaj fitueses së shumëfishtë të Kampionatit Europian, Rumanisë, 3-2 në ndeshjen e vendit të 3-të.
FRANCA – “Gjelat” mbërritën deri në çerekfinale në Kupën e Botës “WMF 2017”. Ata përfunduan në vendin e 3- të në grupin e tyre, ndërsa më pas mundën Rusinë 3-1 me penallti në raundin e 16-të, pasi koha rregullt ishte mbyllur 0-0. Franca e ndali rrugëtimin në çerekfinale, fazë ku u mund në shifrat 4-4 nga Senegali.
Përfaqësuesja franceze nuk arriti të kualifikohej për në Kupën e Botës 2019 të mbajtur në Australi. Tri vite më vonë, në Kampionatin Europian 2022 ata përsëri përfunduan në vendin e 3-të në grupin e tyre, fituan ndeshjen e 1/16-të kundër Ukrainës 1-0, më pas humbën në çerekfinale 3-1 nga Bullgaria.
ANGLIA – Prezenca e parë në një Kampionat Botëror për Anglinë i përket vitit 2019 në Australi, por ata u eliminuan që në raundin e parë, pasi u renditën të fundit në grup.
Në Europianin 2022 britanikët fituan grupin e tyre përpara se të përballeshin me Republikën Çeke, kampione e Botës 2017, duke humbur me rezultatin 1-0 në takimin e vlefshëm për 1/16-t. Ndërkohë në Lojërat e fundit Europiane të Kombeve, anglezët u klasifikuan në vend të fundit në turneun me 6 ekipe.
SHQIPËRIA – Kuqezinjtë për herë të parë do të jenë në një Kampionat Botëror “WMF”. Theksojmë se Shqipëria, pas dy paraqitjeve në Kampionatet Europiane 2018 në Ukrainë dhe 2022 në Sllovaki, ka arritur që të presë biletën e kualifikimit për evenimentin madhor që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një vit më parë Kombëtarja kuqezi luajti në Kampionatin Europian 2022 dhe u rendit në vendin e 4-të në grup, pasi barazoi Spanjën 0-0 dhe u mund nga Rumania 3-1 dhe 1-0 nga Azerbajxhani, kampion i Europës 2022.