Ministri i Emigracionin të Britanisë së Madhe, Robert Jenrick është në Shqipëri pasi do të marrë pjesë në Ministerialin e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet në datë 14 shtator në Tiranë.

Sot Jenrick bëri një vizitë në aeroportin “Nënë Tereza”, për të parë nga afër përpunimin e të dhënave të shtetasve të kthyer nga Anglia si pasojë e qëndrimit të tyre të paligjshëm. Prej Komunikatës së Përbashkët të dhjetorit 2022 të kryeministrave të dy shteteve, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria e kanë përforcuar edhe më shumë bashkëpunimin mes tyre. Gjatë kësaj periudhe, numri i shtetasve shqiptarë që shkojnë në mënyrë të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90% krahasuar me vitin e shkuar, dhe është vënë re një rritje e numrit shtetasve shqiptarë, të kthyer në përmbushje të marrëveshjes së suksesshme.
Ai shoqërohej në këtë vizitë nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Dy ministrat vizituan Task Forcën, e cila funksionon në ambientet e godinës së re të Komisariatit të Policisë Rinas ndërtuar në maj 2022, e cila është financuar nga qeveria britanike. Gjithashtu në Rinas janë ndërtuar ambiente të posaçme për intervistimin e shtetasve të kthyer, subjekt i riatdhesimit. Pala britanike ka asistuar Policinë Shqiptare edhe me pajisje logjistike, duke rritur kapacitetet përpunuese të strukturës.